1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Shoqëria & Kultura

Ëndrra për një jetë më të mirë

Numri i azilkërkuesve romë në BE nga Serbia dhe Maqedonia është rritur shumë. Shkaqet kryesore janë situata e keqe sociale dhe ndihmat e larta sociale në vendet evropiane.

Maqedonia është një vend i varfër me një papunësi prej mbi 30 për qind dhe një të tretën e popullsisë që jeton në varfëri. Veçanërisht të prekur nga gjendja e rëndë janë romët. Për këtë arsye ata kërkojnë fatin në Perëndim, shpesh në Gjermani, veçanërisht pas heqjes së regjimit të vizave.

Përfitimi më i madh se rreziku

Për ata që dëshërojnë të largohen drejt Perëndimit gjithçka është e organizuar në mënyrë shumë profesionale: të ashtuquajturve "ndërmjetës" u paguhet shuma e kërkuar dhe më pas të sjellin me makinë në destinacionin e dëshëruar evropian. Atje paraqitet kërkesë për azil dhe derisa autoritetet të vendosin mund të kalojnë shumë muaj. Gjatë kësaj kohe, kështu premtojnë kontrabandistët, azilkërkuesit mund të përfitojnë një ndihmë të mirë sociale. Edhe kur kërkesa për azil refuzohet, mund të kthehesh mbrapsht si njeri i pasur, u premtojnë njerëzve shpesh të dëshpëruar "ndërmjetësit".

Prishja e kampit të romëve dhe sintit në Lilë, Francë

Por aksione të tilla janë mjaft të shtrenjta. Një familje duhet të paguajë nga 800 deri në 1000 euro tek kontrabandistët. Ndërkohë të ardhurat mesatare në Maqedoni janë vetëm 335 euro. Për të mbërritur në Evropën Perëndimore shumë romëve u duhet të hyjnë në borxhe dhe rreziku është i madh që të zbulohen dhe të humbasin gjithçka përpara se të arrijnë në kufirin e BE-së. E megjithatë ia vlen ta marrësh këtë rrezik, mendon 37-vjeçari Asan Rashidov nga komuniteti më i madh i romëve në Maqedoni, Shuto Orizari në skaj të kryeqytetit maqedonas, Shkup.

"Romët që kanë qenë në Francë dhe Gjermani flasin për një ndihmë mujore bujare prej deri në 2.000 euro. Edhe kur i kthejnë mbrapsht, ata mund të jetojnë një vit të tërë me këto para", thotë ai. Për këtë arsye biznesi lulëzon, madje mund të flitet për kriminalitet të organizuar.

Ndihma sociale mund të hiqet

Ministrja e Brendshme e Maqedonisë paralajmëron se të gjithë që përpiqen të keqpërdorin rregullat liberale të regjimit të vizave dhe të kërkojnë pa të drejtë azil në vendet e BE-së rrezikojnë ndihmën sociale që përfitojnë në Maqedoni. "Kur një person largohet nga vendi  nuk mund të pretendojë më ndihmë sociale", thotë zëdhënësi i ministrisë Davor Politov. Kjo i referohet të gjithë azilkërkuesve të refuzuar.

Roma, Bosnjë Hercegovinë

Por kritikët paralajmërojnë se është pikërisht kjo arsyeja përse autoritetet maqedonase ngurojnë në përpjekjet për të penguar planet e refugjatëve: sa më shumë njerëz të kërkojnë azil në Perëndim, aq më të vogla janë shpenzimet sociale nga buxheti i Maqedonisë, i cili sidoqoftë është i vogël. Kështu Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale bën të ditur se numri i përfituesve të ndihmës sociale në vend është ulur gjatë këtij viti me 7000 vetë. Arsyeja nuk ka të bëjë me përmirësimin e situatës ekonomike në Maqedoni.

Autoritetet maqedonase kanë marrë edhe një tjetër masë. Një ligj është ndryshuar në mënyrë të tillë që shteti u kufizon lirinë e lëvizjes azilkërkuesve të refuzuar, duke u ndaluar kështu praktikisht që të dalin jashtë vendit.

Integrim në shoqërinë e shumicës

Qeveria në Shkup përpiqet që krahas masave policore të vërë nën kontroll problemin edhe me anë të masave të ndryshme për integrim. Me mbështetjen edhe të Komisionit të BE-së për të zgjidhur problemet sociale dhe ekonomike të romëve, janë marrë shumë masa.  Kështu 10 për qind e banesave të reja janë parashikuar për familjet e rrezikuara në aspektin social dhe programi për përfshirjen e romëve në kopshtet e fëmijëve ka tërhequr gjashtë vitet e kaluara rreth 1700 fëmijë romë për edukim të përbashkët. 80 për qind e të rinjve romë shkojnë aktualisht në shkollë fillore dhe në shkollat pasuese një në pesë nxënës vjen nga komuniteti rom. Shumë të rinj kanë tani një perspektivë më të mirë jete në vendin e tyre në krahasim me të kaluarën.

Berlin , Sinti dhe roma

Por ëndrra për një jetë më të mirë mbetet dhe Gjermania është për shumë romë "toka e premtuar". Kjo këndohet edhe në këngë, për shembull kolona zanore e filmit maqedonas "Gypsy Magic", i cili përshkruan gjendjen e romëve në vend, fillon me fjalët: "Unë kam udhëtuar shumë, isha edhe në Perëndim, madje deri në Gjermani për të gjetur bukë, bukë për veten dhe familjen time…“.